KULTURË

Artikull

Qendra e re kulturore-gastronomike paraqet traditën tonë kulinare në Rumani

Bianka Vasile synon të krijojë një urë midis bullgarëve nga Bullgaria dhe atyre në Rumani

Dielë, 14 Dhjetor 2025, 09:00

Qendra e re kulturore-gastronomike paraqet traditën tonë kulinare në Rumani

FOTO: friendshipbridge.eu

Madhësia e shkronjave

Pakica bullgare në Rumani shënoi një ngjarje të rëndësishme – hapjen zyrtare të “Hanit Bullgar” në fshatin Izvoarele (Hanul Bulgarilor), qarku Teleorman (Jugu i Rumanisë). Ky është një vendbanim me më shumë se 200 vjet histori bullgare dhe rrënjë të thella. Qendra bullgare kulinare atje tashmë është pjesë e rrjetit kombëtar gastronomik të Rumanisë.

Iniciativa është një shprehje e gjallë e përpjekjes së komunitetit vendas për të ruajtur dhe popullarizuar kulturën kulinare bullgare, gjuhën, kostumet tradicionale dhe zakonet.

Simbol i identitetit dhe trashëgimisë

E koordinuar nga Bianka Vasile, hani është qendra e parë e këtij lloji – një qendër gastronomike etnike bullgare – në Rumani. Ai është simbol i identitetit dhe vazhdimësisë kulturore të komunitetit bullgar, paraardhësit e të cilit janë vendosur në rajon në fillim të shekullit XIX.

FOTO: friendshipbridge.eu

“Kjo arritje është jashtëzakonisht e rëndësishme jo vetëm për ne, por edhe për të gjithë bullgarët që duan që traditat e tyre të vazhdojnë të jetojnë në Izvoarele”, thekson koordinatori i projektit.

Hapja e qendrës siguron dukshmëri të re për pakicën dhe krijon një vend mikpritës ku mysafirët – përfshirë vizitorë nga Bullgaria – mund të shijojnë gatime autentike bullgare, të përgatitura sipas recetave të lashta të trashëguara brez pas brezi.

“Misioni ynë është të ringjallim gatimet tradicionale – receta të trashëguara nga gjyshet dhe nënat tona. Kjo është një përgjegjësi e madhe, por mbi të gjitha gëzim dhe nder i madh”, shton Bianka Vasile.

FOTO: Facebook/Rețete Păstrate - Bulgarii din Izvoarele

Hani bullgar tejkalon kufijtë e një taverne të zakonshme. Ai është një qendër kulturore e gjallë, ku mysafirët mund të dëgjojnë dialektin arkaik bullgar të folur në fshat, të shikojnë kostumet tradicionale vendase dhe të njihen me historitë e bullgarëve që kanë ardhur në Teleorman dy shekuj më parë.

Nderim ndaj së kaluarës: La Han

Emri i qendrës gastronomike është një nderim për ish- rezidencën e bojarit Petre Iliesku. Kjo shtëpi, e njohur si La Han (“La Han”), ka qenë vendtakim për fshatarët dhe komunitetet përreth. Pavarësisht se ndërtesa origjinale nuk ekziston më, fryma e saj ringjallet përmes punëtorive kulinare, degustimeve, takimeve kulturore dhe ngjarjeve tematike kushtuar trashëgimisë bullgare, të cilat zhvillohen në rrugën “Morii” nr. 85 në Izvoarele.

FOTO: Facebook/Rețete Păstrate - Bulgarii din Izvoarele

Ushqimi në këtë “kënd bullgar” në fshatin rumun jugor është i mundur vetëm me rezervim paraprak dhe është i kufizuar për grupe të vogla deri në 12 persona. Menuja është unike për çdo vizitë, përgatitet së bashku me mikpritësin dhe përshtatet sipas sezonit, preferencave të mysafirëve dhe frymëzimit nga kuzhina vendase. Të interesuarit mund të shijojnë atmosferën e qetë fshatare, dhe në vapën e verës – edhe freskinë e luginës së lumit Gaurici.

Kështu, qendra e sapohapur bullgare kulinare shndërrohet në një ftesë të hapur për këdo që dëshiron të shohë se si bullgarët në Izvoarele jetojnë, gatuajnë, komunikojnë dhe festojnë identitetin e tyre, duke u kthyer në një urë kulturore midis Bullgarisë dhe Rumanisë.

Izvoarele

FOTO: friendshipbridge.eu

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski