HISTORI

Artikull

Të jesh në sallën plenare është shprehje e patriotizmit dhe përgjegjësisë

Muzeu “Rilindja dhe Kuvendi i Madh Popullor ” në Veliko Tërnovo ruan frymën dhe kujtesën e Kuvendit të parë Popullor

Hënë, 15 Dhjetor 2025, 04:55

Të jesh në sallën plenare është shprehje e patriotizmit dhe përgjegjësisë

FOTO: museumvt.com

Madhësia e shkronjave

Më 16 prill 1879 u votua dhe u nënshkrua nga deputetët e Kuvendit të Madh Popullor Kushtetuta e parë e Bullgarisë e njohur si Kushtetuta e Tërnovos. Ajo u bë baza juridike mbi të cilën filloi ndërtimi i shtetit të ri bullgar pas Çlirimit (1878) në shekullin XIX.

FOTO: museumvt.com

Në punimet e hartimit të Kushtetutës morën pjesë 230 përfaqësues popullorë nga tokat e Principatës së ardhshme të Bullgarisë, si dhe përfaqësuesi i posaçëm i princit Dondukov-Korsakov – Sergej Lukijanov, i cili ishte edhe autor i projektit të kushtetutës bullgare. Nuk u lejuan të merrnin pjesë përfaqësues të bullgarëve nga tokat e tjera që mbetën nën sundimin osman – Trakia dhe Maqedonia.

FOTO: Pikturë: Oskar Maj

Në Kuvendin e Madh Popullor morën pjesë krerë të klerit të lartë, kryetarë të gjykatave krahinore dhe përfaqësues të institucioneve të tjera; 89 deputetë u zgjodhën nga popullsia dhe 24 u emëruan drejtpërdrejt nga princi Dondukov-Korsakov si përfaqësues të komuniteteve të ndryshme në Bullgari.

Detyra e Kuvendit të Madh Popullor ishte të hartojë ligjin themelor të Principatës së Bullgarisë. Ai u hap më 10 shkurt (sipas stilit të vjetër) 1879 nga komisari perandorak rus, princi Aleksandër Dondukov-Korsakov. Përfaqësuesit popullorë në Kuvendin e Madh Popullor nuk ishin njerëz të rastësishëm: një pjesë e konsiderueshme prej tyre kishin arsim të lartë të marrë në Rusi dhe Evropën Perëndimore, 2/3 e të gjithë deputetëve zotëronin gjuhën frënge, ndërsa gjysma – frëngjishten dhe gjuhë të tjera. Rreth 70 persona ishin pjesëmarrës aktivë në lëvizjen kombëtare çlirimtare. Si profesion, më të shumtë ishin përfaqësuesit e inteligjencës– mësues, juristë, klerikë, publicistë, botues, mjekë. Por ndër deputetët kishte edhe tregtarë, zejtarë dhe fshatarë. Nga e gjithë kjo mund të nxjerrim përfundimin se, pavarësisht sundimit të gjatë osman, populli bullgar ka qenë në gjendje të nxjerrë përfaqësues të denjë dhe të aftë, të cilët kanë pasur largpamësi edhe në një veprimtari të panjohur për ta – atë parlamentare. Ndër deputetët ishin ndërtuesit e parë të Bullgarisë moderne, siç i quan në librin e tij të famshëm historiani Simeon Radev.

Seancat në Tërnovo ndiqeshin edhe nga përfaqësues të shteteve, të cilat e  nënshkruan Traktatin e Berlinit – Gjermanisë, Francës, Anglisë, Italisë, Austro-Hungarisë, Rusisë dhe Turqisë. Mbërritën gjithashtu edhe gazetarë evropianë.

“Dhe për shkak se në Tërnovo ndodhej salla më e madhe në Bullgarinë e asaj kohe dhe ende ishte gjallë kujtesa se Tërnovo ishte qendra dhe kryeqyteti i Bullgarisë para rënies nën sundimin turk, pikërisht në Tërnovo u mblodh Kuvendi i Madh Popullor”, shpjegon historiani dr. Ivan Cërov, drejtor i Muzeut Historik Rajonal në kryeqytetin e vjetër, pjesë e të cilit është edhe Muzeu “Rilindja dhe Kuvendi i Madh Popullor”.

Dr. Ivan Cërov

FOTO: BTA

“Një tjetër gjë shumë interesante për atë kohë është se nuk kishte asnjë mungesë të deputetëve nga seancat. Kryetar i Kuvendit të Madh Popullor ishte mitropoliti Antim I. Që në ditët e para, pasionet shpërtheheshin me forcë, shoqëruar me thirrje, dhe mbledhja vihej me vështirësi nën kontroll. Për këtë arsye Kryetari dërgoi shërbyesin e bashkisë që të gjente një zile. Ai shkoi në një shkollë turke dhe solli një zile. Ajo ka një vlerë të madhe për muzeun sot, së pari sepse ka kryer funksionet e saj në Kuvendin e Parë Popullor dhe së dyti sepse është një stoli e çmuar. Është e punuar në vitin 1472 diku në Persi, prej bronzi dhe e inkrustuar me gurë të çmuar. Interesante është se çdo ditë ajo që miratohej stenografohej, në mbrëmje shtypej dhe gjatë natës botohej nga shtypshkronja, të cilën Ljuben Karavellov, së bashku me një ortak të tij, e kishin organizuar në bodrumet e ndërtesës, ndërsa në mëngjes deputetët tashmë kishin në dispozicion procesverbalet e shtypura të seancës së ditës së mëparshme.”

FOTO: Facebook/Muzeu Historik Rajonal – Veliko Tërnovo

Së shpejti, në muze do të prezantohet edhe një kopje e kësaj shtypshkronjeje – thekson drejtori dr. Ivan Cërov.

Edhe pse pa eksperiencë në çështjet shtetërore, njerëzit që nënshkruan Kushtetutën e Tërnovos ishin vizionarë. “Largpamësia e tyre shtrihej për vite përpara, e jo thjesht për ditën e nesërme; kjo është dallimi midis deputetëve atëherë dhe sot” thotë Ivan Cërov.

 

FOTO: museumvt.com

Vetë ndërtesa, në të cilën u hartua dhe u miratua Kushtetuta e Tërnovos, u projektua dhe u ndërtua nga ndërtuesi më i njohur i asaj kohe – mjeshtri i Rilindjes Kombëtare, Koljo Fiçeto. “Në të gjithmonë kanë qenë të vendosura shërbime administrative, si bashkia, gjykata dhe disa të tjera”, vazhdon historiani dr. Ivan Cërov, i cili e cilëson ndërtesën e Kuvendit të Madh Popullor si një nga simbolet bashkëkohore jo vetëm të qytetit, por edhe të Bullgarisë në tërësi.

FOTO: museumvt.com

"Në afërsi të drejtpërdrejtë ndodhet një shesh i vogël, i cili për rreth 400 vjet ka qenë qendra e Tërnovos dhe, siç është e zakonshme në një qytet të Perandorisë Osmane, rreth kësaj qendre janë vendosur disa nga ndërtesat që ishin pothuajse të detyrueshme në planifikimin urban të asaj kohe. Natyrisht, konaku – ndërtesa më e rëndësishme ku zhvillohej e gjithë jeta administrative. Pranë konakut, logjikisht, ndodhej burgu. Afër tij është edhe depoja e armëve. Kjo ndërtesë ekziston edhe më sot dhe në të ruhet arkivi i vjetër, i cili, natyrisht, ka edhe një ndërtesë moderne. Në vendin ku tani ndodhet kjo ndërtesë moderne e arkivit shtetëror më parë ngrihej godina e gjykatës lokale. Koljo Fiçeto ndërtoi këtë godinë brenda 2 vjetësh, nga 1872 deri në 1874” - kthehet pas në histori dr. Ivan Cërov, drejtor i Muzeut Historik Rajonal në Veliko Tërnovo, pjesë e të cilit është edhe Muzeu “Rilindja dhe Kuvendi i Madh Popullor”.

FOTO: museumvt.com

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova

Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova