TURIZËM

Artikull

Kur koha shtyp frenat – makina retro dhe verë në fshatin Kapatovo

Mërkurë, 17 Dhjetor 2025, 07:05

Kur koha shtyp frenat – makina retro dhe verë në fshatin Kapatovo

FOTO: classicauto.bg

Madhësia e shkronjave

Në rrëzë të Pirinit, midis vreshtave dhe shtëpive të vjetra prej guri, koha duket se ka frenuar. Në fshatin Kapatovo pranë Petriçit, hasim një vend të pazakontë – një Muze Makinash Retro, ku historia merr jetë në katër rrota. Këtu paraqiten mbi 60 makina retro dhe dhjetëra motoçikleta. Disa nga eksponatet janë unike jo vetëm për Bullgarinë, por edhe për Evropën. Siç është një model jashtëzakonisht i rrallë Pierce-Arrow – një makinë zyrtare e Shtëpisë së Bardhë nga viti 1909 deri në vitin 1933, e cila u përdor nga presidentët amerikanë, ose Ford Model T legjendar nga viti 1912 – makina e parë e prodhuar në një linjë montimi, një simbol i epokës së re industriale. Çdo makinë ka historinë e vet, e cila merr jetë në bisedën interesante të kuratorit Kristijan Zhelev. Ndër ekspozitat më kurioze është Rolls-Royce-i privat i familjes Bacardi (e cila themeloi markën e famshme botërore të rumit kuban me të njëjtin emër në shekullin e 19-të).

"Pronari, i pari dhe aktual, është vetë Lord Bacardi - Gomez Bacardi. Në dyert e pasme janë stemat, në prag ka një pllakë me mbishkriminProduced by Rolls-Royce – Louis Gomez del Campo, Lord Bacardi(Prodhuar nga Rolls-Royce - Louis Gomez del Campo, Lord Bacardi). Kjo është një makinë e lidhur me një figurë të caktuar historike."

FOTO: classicauto.bg

Muzeu retro në Kapatovo përmban gjithashtu një koleksion të pasur të Mercedes-ave të vjetër, si dhe Chevrolet Corvette C1 (1962). Koleksioni pasurohet vazhdimisht me makina të rralla dhe me vlerë. Ekipi monitoron tenderët, ankandet dhe njoftimet nga Evropa dhe Amerika, dhe vitet e fundit, gjithnjë e më shumë ekzemplarë interesantë nga Bullgaria kanë ardhur në muze. Një vend i veçantë u jepet makinave të lidhura me historinë tonë

FOTO: classicauto.bg

"Kemi katër makina nga koleksioni i Shërbimit të Sigurisë Kombëtare, ish-UBO (një nënndarje e ish-Sigurimit të Shtetit gjatë kohës së socializmit). Ato janë makina historike jashtëzakonisht të vlefshme. Këto janë dy ZIS (Zavod Imeni Stalina) - limuzinat e para luksoze sovjetike, makinat e para përfaqësuese në Bullgari - versioni kabriolet i ZIS. Kemi ekspozuar dy fotografi të vjetra bardh e zi - njëra e Juri Gagarin duke hipur pikërisht në këtë ZIS; tjetra është e Hrushçovit dhe Todor Zhivkov, gjithashtu në ZIS-in tonë lokal. Dhe kemi gjithashtu një ARO (Auto Romania) - një xhip rumun. Është jashtëzakonisht i vlefshëm. Së pari, sepse ishte një dhuratë nga Nikolae Çaushesku për Todor Zhivkov për UBO-n. Dhe së dyti, sepse nuk ka të bëjë fare me ARO-n standarde - ka një shasi shumë më të gjatë, një tavan më të lartë, ka tavolina në pjesën e pasme të sediljeve të përparme, një bar vere në pjesën e pasme, sedilje për rojet e sigurisë. Është një makinë jashtëzakonisht e rrallë dhe me vlerë. Kemi një Bulgaralpine, e cila ishte në pronësi të Ilija Çubrikov (një nga doajenët e sportit motorik bullgar).

Rajoni i Petriçit ka qenë prej kohësh i famshëm për verërat dhe bodrumet e tij, ku degustimet janë kthyer në një ritual i vërtetë. Në Kapatovo, menjëherë pranë muzeut, ndodhet edhe një punishte vere, e cila e plotëson përvojën. Zakonisht, mysafirët pasi e shikojnë ekspozitën e makinave, vizitojnë edhe dhomën e degustimeve, mësojmë nga Kristijan Zhelev. Dhe më shumë: 

FOTO: classicauto.bg

"Rajoni është zhvilluar si një zonë turizmi vere - ka një përqendrim shumë të lartë të kantinave të verës në afërsi të njëra-tjetrës. Qyteti fqinj Sandanski është shumë i gjallëruar, plot turistë. Shumë njerëz vijnë, vizitojnë kantinat, bëjnë ture dhe degustacione vere. Muzeu është një shtesë e mrekullueshme, sepse, si vera, ashtu edhe makinat e vjetra tregojnë histori. Kombinimi i degustimeve, plus një vizitë në muzeun retro, doli të ishte shumë i suksesshëm. Kjo ishte gjithashtu një nga idetë e pronarit - që muzeu të jetë pranë punishtes së verës. Gjatë fundjavës, kalojnë 300-400 njerëz. Dhe ne tashmë kemi realizuar shitjen e 3000 biletave në muaj, që është një numër shumë i madh për muzeun", përfundoi Kristijan Zhelev.

 

Shihni më shumë në arkivin tonë:

 

FOTO: classicauto.bg

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva

Foto: classicauto.bg; Muzeu i Makinave Retro, Kapatovo