TURIZËM

Artikull

Vietnami, një destinacion gjithnjë e më modern festiv për turistët bullgarë

Dielë, 28 Dhjetor 2025, 09:00

Dajana Ivanova

Dajana Ivanova

FOTO: Joan Kolev

Madhësia e shkronjave

Ditët në prag të vitit të vjetër dhe vitit të ri janë një periudhë e preferuar për udhëtime jashtë vendit për shumë bullgarë. Përveç destinacioneve tashmë standarde në Evropë – shtetet fqinje ballkanike dhe kryeqytetet evropiane – gjithnjë e më shpesh bashkatdhetarët tanë zgjedhin të përjetojnë momente emocionuese në vende më të largëta dhe ekzotike. Kohët e fundit, si një destinacion interesant po imponohet Vietnami. Interesi i turistëve pjesërisht kushtëzohet edhe nga lidhjet historike shumëdekadëshe mes dy shteteve, që datojnë që nga koha para ndryshimeve demokratike në Bullgari.

Ho Shi Min

FOTO: vietnamdiscovery.com

“Gjatë viteve ’60, ’70 dhe ’80 të shekullit të kaluar, në Bullgari ka pasur shumë vietnamezë, të cilët kanë qenë punëtorë dhe studentë. Numri i tyre i përgjithshëm pranohet se ka qenë rreth 30 000 për këto dekada, ndërsa në vitet ’90 ardhja e tyre ndërpritet, por një pjesë e tyre arrijnë të qëndrojnë, disa madje krijojnë edhe familje në Bullgari. Ndërsa, nëse para rreth 20 vjetësh vietnamezët në Sofje kanë qenë rreth 3 000, sot numri i tyre është rreth 1 000 – 1 200. Një nga arsyet është se disa prej tyre vendosin të kthehen në Vietnam ose fëmijët e tyre, duke u rritur, realizohen në Perëndim dhe nuk kthehen në Bullgari. Aktualisht ka një valë të re vietnamezësh që vijnë tek ne, ku sërish një pjesë e tyre janë studentë, ndërsa të tjerët – punëtorë” – na shpjegon Dajana Ivanova. Vetë ajo kalon tre vjet në Hanoi dhe Ho Shi Min, ku studion gjuhën vietnameze si pjesë e programit të saj master në specialitetin Gjuhë dhe kultura lindore të Universitetit të Sofjes.

FOTO: vietnamsensetravel.com

Vëzhgimet personale të Dajanës janë se nuk ka shumë bullgarë që të jetojnë në Vietnam. Vetë ajo nuk ka gjetur statistika të tilla, por ndan atë që dihet, e që është se bashkatdhetarët tanë janë specialistë të vlerësuar në fusha të ndryshme, mes të cilëve ka pilotë të kualifikuar, inxhinierë, mjekë, trajnerë, sportistë, biznesmenë dhe tregtarë.

Vietnami është ndër destinacionet ekzotike moderne për emigrantët dhe turistët bullgarë, dhe kjo prirje u mbështet edhe nga lehtësimet e vizave të futura gjatë verës së këtij viti për udhëtarët afatshkurtër, sipas të cilave bullgarët kanë të drejtë për qëndrim pa vizë 45-ditor në vend.

Periudha e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri është shumë e përshtatshme për udhëtim drejt shtetit aziatik, pasi në Vietnam jetojnë rreth 7 milionë katolikë dhe Krishtlindja është një nga festat e nderuara në vend, megjithëse një pjesë e madhe e popullsisë ndjek Kalendarin Hënor, sipas të cilit llogariten ciklet natyrore dhe festive, na thotë Dajana Ivanova.

FOTO: nadovatours.com

“Për të huajin mund të duket e çuditshme dhe interesante se sa shumë dekorime të Krishtlindjeve vendosen në qytetet vietnameze. Ashtu si edhe në Bullgari nxjerrim zbukurimet në fillim të dhjetorit, po ashtu edhe atje, pavarësisht se në disa pjesë të vendit janë 30 gradë, njeriu mund të shohë bredha dhe kurora Krishtlindjesh nëpër rrugë, në qendrat tregtare, kështu që, thjesht simbolikisht, kjo festë pëlqehet dhe nderohet.”

Përbërja e larmishme, multietnike e popullsisë në shtetin aziatik, i cili pavarësisht formës komuniste të qeverisjes sot është jashtëzakonisht tolerant ndaj denominacioneve të ndryshme fetare, nuk është diçka e habitshme nëse e shqyrtojmë më në detaje historinë e Vietnamit – shpjegon bashkëbiseduesja jonë dhe shton:

FOTO: vietnamtravel.com

“Vietnami ka qenë koloni franceze deri në vitet ’50 të shekullit të kaluar. Prandaj nuk është rastësi që një nga simbolet e qytetit më të madh të vendit – Ho Shi Mini – është një katedrale katolike, që mban emrin Notre Dame, e ndërtuar sipas modelit francez. Pas formimit të Republikës Demokratike të Vietnamit (e shpallur më 2 shtator 1945), rreth 1 milion katolikë, të shqetësuar për atë që do të pasonte, migrojnë drejt Vietnamit të Jugut, i qeverisur nga qeveria e mbështetur nga Franca. Dëgjohen premtime se do të mbahen zgjedhje dhe bashkimi do të ndodhë në mënyrë demokratike, por kjo nuk ndodh kurrë.”

FOTO: vinwonders.com

Prandaj edhe sot pjesa më e madhe e të krishterëve vazhdojnë të jetojnë në pjesën jugore të vendit, ku ka edhe përqendrim të tempujve të krishterë, ndërsa sipas statistikave në vend ka rreth 7 000 katedrale. Në Vietnam jetojnë 14 milionë budistë, 7 milionë katolikë dhe rreth 2 milionë protestantë, por ka edhe një tempull ortodoks. Bullgarët që e kanë këtë informacion nuk e humbasin rastin ta vizitojnë atë, na thotë Dajana.


FOTO: Facebook/ Dayana Ivanova

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski