Autor
Joan Kolev
Seksion
Dielë 21 Dhjetor 2025 09:05
Dielë, 21 Dhjetor 2025, 09:05
FOTO: Facebook/ Svetllana Djakonova - Arsen
Madhësia e shkronjave
Gjenealogjia nuk është thjesht një shkencë historike, por edhe një udhëtim në të kaluarën që na ndihmon të kuptojmë rrënjët dhe historinë tonë. Përmes studimit të prejardhjes familjare mund të zbulojmë të afërm të rinj, të mësojmë më shumë për paraardhësit tanë dhe të ruajmë kujtesën familjare për brezat e ardhshëm. Prandaj, çdo përpjekje për organizimin e takimeve të tilla të njerëzve me të njëjtin interes për këtë kauzë duhet të mbështetet dhe njohuritë të bëhen publike. Pikërisht ky ishte edhe qëllimi i konferencës shkencore të mbajtur së fundmi në Sofje, me titullin “Studime dhe probleme të reja në gjenealogji”, e organizuar nga Federata Gjenealogjike “Rodoznanie”. Në të u prezantuan studime të thelluara mbi një sërë brezash, disa prej të cilave kanë zgjatur disa vite, pasi krijimi ose hulumtimi i pemëve ekzistuese gjenealogjike apo i dokumenteve është kryesisht një hobi për ata që merren me këtë detyrë. Ai kërkon një dozë të madhe durimi, leximi dhe sistematizimi të informacionit, i cili shpesh, kur rilexohet, çon në zbulime të reja për brezin përkatës. Ndër historitë interesante familjare është edhe ajo e sekretares së federatës – Svetllana Djakonova-Arsen.
Svetllana Djakonova - Arsen
FOTO: Joan Kolev
Edhe pse me arsim ekonomiste, historia është pasioni i saj. Gjyshi i saj është nga Bansko – sot një vendpushim skish, i cili në të kaluarën ka qenë një qendër e fuqishme tregtare, zejtare dhe kulturore, me arkitekturë unike dhe me një popullsi me vetëdije të zgjuar kombëtare. Svetllana Djankova vendos të zbërthejë fijet e historisë familjare nga ana e nënës së saj, e cila rrjedh nga familja Haxhivëllçev, emblematike për vendbanimin, e lidhur me autorin e “Historia sllavobullgare”, i konsideruar si themelues i Rilindjes Kombëtare Bullgare.
“Babai i nënës sime është nga fisi Sirleshtov, i cili është shumë i vjetër. Paraardhësi themelues i tij ka lindur në vitin 1620, ndërsa nëna e tij ishte nga fisi Haxhivëllçov. Haxhi Vëllço konsiderohet si një nga vëllezërit e Paisij Hilendarski (1722–1773). Njerëzit e lindur para meje e kanë hulumtuar këtë fis, por edhe unë vetë kam bërë shumë zbulime. Në Pashkë, bashkë me motrën time shkuam te varri i stër-stër-stër-stër-gjyshit tonë Arsen Haxhinikoliç, i varrosur në qendër të Budapestit, pas kishës “Fjetja e Hyjlindëses”, e cila është tempulli ortodoks më i madh në kryeqytetin hungarez.”
Rezulton se informacioni për këtë person është botuar që në vitet ’40 të shekullit XX:
Portreti i Haxhi Vëllços nga Bansko në Manastirin Hilendar
FOTO: paisij.blogspot.com
“Në vitet ’40, prifti i legatës pranë ambasadës bullgare në vend i ka zbuluar këto dokumente dhe i ka botuar në gazetën ‘Paqe’, që dilte në atë kohë. Unë arrita t’i gjej, i botova, më pas disa të afërm shkuan atje dhe më paraprinë, por ja që edhe unë dhe motra ime gjithashtu arritëm ta gjejmë.”
Një tjetër figurë emblematike e lidhur me fisin e bashkëbisedueses sonë është Neofit Rilski (1793–1881), veprimtaria letrare dhe arsimore e të cilit lidhet me një etapë të rëndësishme të zhvillimit të kulturës së re bullgare – lëvizjen për shkollën, letërsinë dhe gjuhën e re bullgare.
“Fisi i Neofit Rillskit dhe familja e tij ishin shumë kundër që ai të bëhej murg. Të gjithë e konsideruan këtë si një humbje shumë të madhe dhe ekzistojnë letra të hershme në të cilat duket qartë qëndrimi i zemëruar ndaj faktit se ai e kishte bërë këtë zgjedhje.”
Zbulimet e saj Svetllana i bën ndërsa hulumton historinë e Banskos nga këndvështrimi i tregtarëve të leshit, lëkurës dhe pambukut. Mendohet se pikërisht pambuku i bëri banorët e Banskos të pasur, sepse ai ishte një mall akcize i cili tregtohej në mënyrë aktive. Studiuesja po shkruan edhe një libër për ta, i cili është pothuajse gati.
Një zbulim interesant për një gjurmë bullgare në fshatin serb Jezhevicë u prezantua në një raport edhe nga bashkatdhetarja jonë – gazetare, shkrimtare dhe veprimtare shoqërore Zdenka Todorova. Arsyeja pse ajo hulumton pikërisht këtë fshat është veprimtaria e saj shumëvjeçare, e lidhur me studimet mbi vendet e shenjta, të shpërndara në Krahinat Perëndimore, si dhe me shkollën e gurgdhendjes të fshatit Ginci.
FOTO: Facebook/Zdenka Todorova
“Duke i hulumtuar ato, rastësisht hasa një libër të botuar në vitin 1995 nga Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore në Serbi, me autor Nikolla Dudiç. Në të gjeta informacion për një gjurmë bullgare në Serbinë Qendrore, afër qytetit Çaçak. Më magjepsi mënyra se si një autor serb referohej tek kjo gjurmë bullgare, duke studiuar fshatin në fjalë – Jezhevicë. Një fshat i ngjashëm – Ezhevicë – ndodhet përgjatë lumit Nishava, pranë Kallotina, dhe pikërisht aty, në vitin 1849, vdiq bashkatdhetari ynë Ivan – Bullgari, i cili kishte qenë kryetar i fshatit Liplja. Djemtë e tij, Bllagoj dhe Stoj, porositën një gur varri nga një serb. Më ra në sy që ata porositën këtë pllakë me shumë rozeta (ornamente me formë të rrumbullakët, të stilizuara si një lule) të vendosura mbi të – një simbol karakteristik i para-bullgarëve. Ajo është e shkruar në gjuhën bullgare – Ivan M. – Bullgari.”
FOTO: Facebook/Zdenka Todorova
Sipas saj, ky njeri dhe fisi i tij janë pjesë e shumë bullgarëve që ikën në Serbi gjatë sundimit osman, ndërsa pas Çlirimit, shumë prej tyre u kthyen në vendet e tyre të lindjes.
Studimet e tilla dhe historitë personale familjare tregojnë qartë se gjenealogjia nuk është vetëm kërkim i emrave dhe datave, por një proces i gjallë i rikuperimit të kujtesës dhe identitetit kombëtar. Përmes përkushtimit dhe punës së studiuesve si Svetllana Djakonova-Arsen dhe Zdenka Todorova, zbulohet jo vetëm fati i brezave, por edhe faqe të rëndësishme të historisë bullgare, që shtrihen shumë përtej kufijve të tanishëm. Për këtë kontribuojnë edhe iniciativa si konferenca shkencore e Federatës “Rodoznanie”, e cila bashkon njerëz me interesa të ngjashme, inkurajon hulumtimet dhe e kthen kujtesën familjare në një vlerë të përbashkët.
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello