FOLKLOR

Artikull

Kujtesa e një fshati “të padukshëm”: traditat dimërore bullgare në Izvoarele

Martë, 23 Dhjetor 2025, 07:00

Bianka Vasile

Bianka Vasile

FOTO: Arkiv personal

Madhësia e shkronjave

Në zemër të qarkut rumun Teleorman, i fshehur në një luginë që mbetet pothuajse pa u vënë re nga udhëtarët që ndjekin rrugën kryesore drejt Zimniçit, ndodhet fshati Izvoarele. Ky izolim gjeografik dikur ka shërbyer si strehë për kolonë bullgarë, të cilët më shumë se dyqind vjet më parë hodhën themelet e një prej komuniteteve më origjinale dhe më mirë të ruajtura në jug të Rumanisë. Sot, Bianka Vasile, njohëse e thellë e traditave bullgare në rajon, rrëfen historinë, shpirtin dhe zakonet specifike dimërore të këtij vendi, ku koha duket sikur ka konservuar gjuhën arkaike bullgare dhe botëkuptimin ballkaniko-bullgar.

FOTO: Fllorenca Dana

Historia e një vatre “të fshehur”

Fshati, emri i vjetër i të cilit është Gauriçu, përmendet për herë të parë në dokumente të vitit 1533. Bianka Vasile shpjegon se pamja e tij bashkëkohore formësohet në fund të shekullit XVIII dhe në fillim të shekullit XIX. Një figurë kyçe në historinë e komunitetit është tregtari nga Plovdivi, Çernija Popoviç, i cili në vitin 1817 solli 82 familje bullgare për të rindërtuar fshatin, të shkatërruar nga një zjarr në vitin 1788. Gradualisht, atyre iu bashkuan emigrantë nga zona të ndryshme të Bullgarisë – nga Pleveni, Gabrovo, Silistra dhe Sofja.

Me kalimin e viteve, Izvoarele u zhvillua si një komunitet i mbyllur, gjë që, sipas Vasiles, është arsyeja kryesore për ruajtjen e identitetit të tyre. Deri në vitin 1990, martesat e përziera kanë qenë të rralla. Banorët njihen në gjithë qarkun për punën e tyre të jashtëzakonshme – madje ekzistonte edhe një stereotip me shaka se të bëheshe dhëndër në Izvoarele ishte sfidë, sepse puna aty nuk ndalet kurrë. Sot vendasit flasin një dialekt arkaik bullgar (e folura e Nikopolit) dhe ruajnë në arkat e tyre kostume popullore shekullore, rroba dhe përparëse.

FOTO: Bianka Vasile

Cikli festiv dimëror: mes mistikës dhe jetës së përditshme

Festat dimërore në Izvoarele janë një gërshetim i ndërlikuar i spiritualitetit të krishterë dhe riteve pagane për pjellori. Bianka Vasile e përshkruan përgatitjen për to si një proces “pastrimi” – si të shtëpisë, ashtu edhe të shpirtit, përmes agjërimit.

Një nga zakonet më kurioze kryhet më 19 dhjetor, në prag të Ignazhdenit. Gratë përgatisnin një shportë me dhe dhe qepë, të cilën e vendosnin pas derës, ndërsa fëmijët duhej të “kakarisnin”. Rituali kishte qëllim magjik – të siguronte prodhim të bollshëm të shpendëve shtëpiake gjatë vitit të ardhshëm. Vetë Ignazhdeni (20 dhjetor) ishte i ngarkuar me ndalime të rrepta – nuk shkohej për vizita, që të mos “nxirrej” fati nga shtëpia. Nëse megjithatë vinte ndonjë mysafir, ai duhej patjetër të ulej dhe të imitonte zërat e pulave, për çka nderohej me kungull të zier dhe verë, me bekimin: “Të na rrojnë pulat dhe të jenë të shëndetshme!”.

FOTO: Konstantina Bërban

Nata e Buzmit (24 dhjetor) fillonte me përgatitjen e kulaçëve ritualë. Rreth mesditës djemtë niseshin për në një festë me këngë të quajtur “Miu”. Ata mbanin shkopinj me xhufka të kuqe dhe thërrisnin me zë të lartë nën dritare. Karakteristikë për Izvoarele është rituali në të cilin fëmijët godisnin me shkopinjtë e tyre një govatë me drithëra (misër, grurë, mel), të përgatitur nga i zoti i shtëpisë. “Shtypja” simbolike e drithit paralajmëronte një korrje të dyfishtë. Në mbrëmje, nëpër rrugë dilnin grupe me të ashtuquajturën “yll”, të zbukuruar me kurora dhe me një ikonë të Jezu Krishtit në mes, për të shpallur Lindjen e Krishtit.

FOTO: Bianka Vasile

Krishtlindja dhe kulti i derrit

Krishtlindja në Izvoarele ka edhe ritualin e saj specifik kulinar. Bianca Vasile tregon për një traditë interesante – gjuetinë e harabelave në Natën e Buzmit. Zogjtë pastroheshin dhe piqeshin për Krishtlindje, dhe çdo anëtar i familjes duhej të provonte prej tyre, “që t’i jetë e lehtë gjatë gjithë vitit”. Kështu, me ngrënien e mishit të harabelit, ndërpritej agjërimi.

FOTO: Fllorenca Dana

Ditën tjetër, më 26 dhjetor, i gjithë fshati jehohej nga mprehja e thikave – fillonte therja e madhe e derrave. Kjo është kohë e ndarjes komunitare; burrat nderohen me raki të ngrohtë, ndërsa gratë shpërndajnë “prisninë” (mish të freskët dhe dhjamë) për fqinjët që nuk kanë derr. Trashësia e dhjamit ishte krenaria e të zotit të shtëpisë dhe masë e mirëqenies së tij.

FOTO: Konstantina Bërban

Maskaradët e Vitit të Ri dhe “Irodi”

Kalimi drejt vitit të ri shënohej nga “Plugushor” në mbrëmjen e 31 dhjetorit. Një parmendë, e tërhequr nga qe të bardha dhe e shoqëruar nga lërues dhe kamxhikë, kalonte nëpër fshat. Më 1 janar fëmijët dilnin me “sorkova” (survaçkë), ndërsa pasdite shfaqej “sillilika” – një njeri i maskuar si dhi, i shoqëruar nga muzikantë dhe një “gomar” që mblidhte dhuratat në torba.

Zakoni më spektakolar, por tashmë i zhdukur, është i ashtuquajturi “Irod”. Këngëtarët e Krishtlindjeve, të veshur me kostume kombëtare dhe me shpata druri në duar, shpesh përfshiheshin në përleshje të vërteta, nëse dy grupe takoheshin në të njëjtin territor. Bianka Vasile ndan me keqardhje se sot këto rituale të ndërlikuara janë thjeshtuar ose harruar, por ajo dhe gratë vendase bëjnë përpjekje të mëdha për të ringjallur festa si Babinden dhe German, që të mos mbeten vetëm në studimet gjuhësore.

FOTO: Bianka Vasile

Ishull gjuhësor dhe unitet ballkanik

Pavarësisht ndikimit rumun në gastronomi dhe huazimit të disa festave si Dragajka (Dita e Shën Gjonit), Izvoarele mbetet një “ishull gjuhësor”. Bianka Vasile thekson se, ndërsa bota globalizohet, në fshatin e tyre ende gatuhet “ljutika” (ajvar/lutenicë) dhe “ribniku” tradicional për Shën Nikollën. Ajo shpreh krenari për faktin se komuniteti ka “shtypur pedalin e gazit” për t’i rikthyer në jetë traditat që i mbajnë mend vetëm më të moshuarit.

Në fund, Bianka Vasile përcjell përshëndetjen e saj për të gjithë bullgarët, fillimisht në dialektin autentik të fshatit të saj, e më pas edhe në bullgarishten letrare:

FOTO: Bianka Vasile

“Ne në Izvoarele mësojmë gjuhën tonë, të mësuar nga nëna dhe babai, mama dhe tatko. Flasim bullgarisht kur shkojmë në treg, kur blejmë diçka, dhe dimë disa këngë. Gëzohemi shumë që doni të dëgjoni se si flasim. Për Krishtlindje dhe Vitin e Ri ju dërgoj shumë shëndet dhe ju presim në fshatin tonë.”

Shumë shëndet dhe lumturi! Paçi paqe dhe dashuri në shtëpi! Gëzuar festat dhe Vit të Ri të mbarë!


Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski