Dita e Shën Stefanit “mbyll” ciklin e festave të Krishtlindjeve

Shtunë, 27 Dhjetor 2025, 08:00

Dita e Shën Stefanit “mbyll” ciklin e festave të Krishtlindjeve

FOTO: BGNES

Madhësia e shkronjave

Ditën e tretë pas Lindjes së Krishtit më 27 dhjetor Ortodoksia nderon kujtimin e dëshmorit të parë të shenjtë dhe kryedhjak Stefan, i krishteri i parë që u martirizua në emër të Krishtit.

Siç shkruhet në jetëshkrimin e tij, Stefani ishte i zellshëm në shërbim. Ai ishte ndër shtatë dhjakët e parë të shuguruar nga apostujt e parë. Stefani mund të bënte mrekulli – duke vënë duart mbi të sëmurët, ata shëronin. Ai ishte ndër ndjekësit më të zellshëm të mësimit të krishterë. Duke parë se si gjithnjë e më shumë njerëz po e pranonin krishterimin, udhëheqësit hebrenj vendosën të bënin gjithçka që ishte e mundur për ta parandaluar këtë. Ata trilluan shpifje për Stefanin, e kthyen turmën kundër tij dhe e thirrën në Sinedrion për gjykim. Në mbrojtje të besimit, ai hyri në një diskutim me prijësit, duke i akuzuar ata për vrasjen e Shpëtimtarit. Të tërbuar nga fjalët e tij, e çuan jashtë qytetit, ku e vranë me gurë. Gjatë gjithë kohës kryedhjaku lutej që Krishti të pranonte frymën e tij. Dhe fjalët e tij të fundit ishin një lutje për torturuesit e tij: “Zot, mos ua ngarko atyre këtë mëkat!” Ndër më të egërit në turmë ishte një i ri me emrin Savell, i cili më vonë e pranoi fenë e krishterë dhe u bë një predikues i zellshëm - Apostulli Pali. Sipas traditës, Nëna e Zotit u lut për Stefanin, duke parë nga larg martirizimin e tij.


Shën Stefani është patron i shumë kishave bullgare, duke përfshirë një nga simbolet e luftës për pavarësinë e kishës – Kisha e hekurt “Shën Stefani“ në Stamboll.


FOTO: BTA

Në trapezën familjare vihet mish me lakër të tharmë dhe byrek. Këtë ditë çiftet e sapomartuara frekuentojnë krushqit dhe prindërit.

Ditë të emrit kanë njerëzit me emra bullgarë: Stefan, Stefana, Stefka, Venko, Stojan, Stojko, Stoiçko, Stoimen dhe të gjithë emrat e përngjashme.



Mish derri me lakër turshi – një gjellë tradicionale për Ditën e Stefanit

FOTO: arkiv

Në traditën popullore Dita e Shën Stefanit “mbyll ciklin e festave të Krishtlindjes”.

Qoftë kjo festë e ndritshme dhe e bekuar për të gjithë!

Përpiloi: Allbena Bezovska

Përgatiti në shqip: Ekip i BNR-së