Autor
Krasimir Martinov
Artikull
Enjte 25 Dhjetor 2025 06:55
Enjte, 25 Dhjetor 2025, 06:55
Ati Maksim nga Manastiri Kikos, Qipro
FOTO: Krasimir Martinov
Madhësia e shkronjave
Manastiri i Kikosit, i cili ndodhet në pjesën perëndimore të malit Troodos, në një lartësi prej 1318 metrash mbi nivelin e detit, është një nga manastiret më të pasura dhe më të njohura në Qipro. Kjo vatër e shenjtë u themelua në shekullin e XI-të nga perandori bizantin Aleksios I Komneni. Në Manastirin e Kikosit, në vitin 1926, e filloi veprimtarinë e tij kishtare si rishtar, presidenti i parë i Qipros – kryepeshkopi Makarios (1960–1974). Igumen i manastirit që nga viti 1985 është Nikifori.
Sot pelegrinë nga e gjithë bota vijnë çdo ditë për t’u lutur para ikonës së famshme mrekullibërëse të Hyjlindëses së Shenjtë “Dhembshuria”.
Ikona e Hyjlindëses së Shenjtë “Dhembshuria”, Manastiri Kikos
FOTO: Krasimir Martinov
Një ekip i Radio Bullgarisë vizitoi manastirin dhe bisedoi me atin Maksim, i cili vetë është thellësisht i lidhur me Bullgarinë dhe komunitetin bullgar në Qipro. Ai është bullgar nga babai dhe qipriot nga nëna, si dhe i diplomuar në Universitetin e Plovdivit “Paisij Hilendarski”. Gjithashtu, ai jep mësime të besimit fetar në Shkollën Bullgare të së Dielës “Strehë Amëtare” në Qipro.
Sipas besimtarëve, edhe ikona mbrojtëse e manastirit është mrekullibërëse. Për mënyrën se si shfaqet mrekullia e saj, e pyesim atin Maksim.
At Maksim
FOTO: Krasimir Martinov
“Gjithmonë kam qenë i mendimit se, kur njeriu beson, gjithçka mund të jetë mrekullibërëse – thotë ai. – Sigurisht, kjo ikonë ka hir, një hir të madh. Vetë Hyjlindësja e ka porositur dhe ka bekuar ikonën – këtë dhe edhe dy ikona të tjera që ndodhen në Greqi. Njeriu ka nevojë për një figurë, që të shohë. Pa figurë, ai fillon ta humbasë besimin, fillon t’i humbasë ndjenjat. Dhe jo më kot thuhet: “Sytë që nuk shihen, harrohen” ose “Kjo është dashuri me shikim të parë”. Dhe kur sheh një ikonë, ti ndien një energji të fortë. Kjo energji është si një magnet për dhimbjen e njerëzve, të cilët vijnë vazhdimisht këtu dhe e derdhin atë dhimbje. E gjithë kjo vuajtje e derdhur para ikonës është ajo dhimbje që e bën të fortë si ikonën, ashtu edhe këtë vend. Besimi është ajo që e vë në lëvizje Kishën Ortodokse. Kur ka besim, ka edhe mrekulli. Kjo është gjëja më e rëndësishme, sipas meje.”
Manastiri Kikos – pamje nga oborri i brendshëm
FOTO: Krasimir Martinov
Si e vlerësoni kohën e sotme? A janë njerëzit të mirë apo të këqij, çfarë i pengon ata të jenë më të bashkuar dhe, për rrjedhojë, të mos ketë varfëri, të mos ketë luftëra – gjithë ato gjëra nga të cilat vuan edhe njerëzimi bashkëkohor?
“Njerëzit janë të mirë. Zoti e ka krijuar njeriun si qenie të mirë – thotë ati Maksim. – Në fillim ishte e mira. Por, për shkak të mëkateve tona, ajo që ndodh në botën e sotme errëson pastërtinë dhe të vërtetën në të cilën duhet të jetojmë. Sa më shumë largohemi nga Zoti, aq më të palumtur dhe më të hutuar bëhemi. Pa Zotin në jetën tonë, pa pendesë, nuk mund të ketë dashuri. Shumë nga të rinjtë dhe njerëzit e sotëm mendojnë se duan veten. Pra, sot funksionon shumë më tepër egoja. Dhe kur ajo është në shkallë të madhe, krijon një imazh negativ në përmasa të mëdha. Prandaj shohim se edhe udhëheqësit e sotëm nuk janë largpamës, nuk mendojnë pastër. Sepse ata e perceptojnë veten sikur jetojnë në një xhungël – e rëndësishme është kush do ta mposhtë tjetrin, kush do të fitojë më shumë. Mëkatet janë shkaku i vuajtjes sonë. Nga mëkatet vuan edhe shpirti ynë, dhe kur vuan shpirti, vuan edhe trupi...
Afresk nga Manastiri Kikos, Qipro
FOTO: Krasimir Martinov
... Fatkeqësisht, njerëzit sot nuk e kërkojnë Zotin. Merren me gjithçka tjetër – kulturizëm, yoga, me disa mësime filozofike, stoike… Por nuk i drejtohen Zotit. Pse? Sepse mendojnë se mund të bëjnë gjithçka vetë. Zoti kërkon vetëm një gjë nga ne – pendim. Ai dëshiron që të trokasim në derën e Tij, dëshiron përulësi. Kur trokas në derën e Zotit, Zoti të shfaqet, të hap derën, të përqafon. Sot shumë njerëz turpërohen të thonë se besojnë, sepse mbi ta derdhet një stuhi kritike. Por, kur njeriu beson, jeta e tij ndryshon. Nuk duhet të turpërohemi për Zotin. Nuk duhet të mendojmë për pasurinë dhe karrierën tonë, por për mënyrën se si të jemi të pëlqyer nga Zoti. Ky është këshilli im për njerëzit e sotëm.”
Por çfarë do t’u japë kjo atyre? Ata do të pyesin: “Mirë, do të kthehem te Zoti, por a do të ndihmojë Zoti për përpjekjet e mia?” Sepse, në fund të fundit, secili prej nesh punon, kujdeset për familjen e tij, shpesh edhe për një të sëmurë në shtëpi… Në çfarë mënyre mund të mësohet vërtet njeriu të kërkojë të gjitha këto nga Zoti?
“Eh, është shumë e thjeshtë – thotë ati Maksim. – Pesha që mban me vete, kur nuk i drejtohesh Zotit, të lodh dhe të shkatërron. Kur i drejtohesh Zotit, pesha bie, sepse e lë gjithçka në duart e Tij. Kështu ndryshon jeta dhe mënyra e të menduarit tënd...
Mozaik nga Manastiri Kikos, Qipro
FOTO: Krasimir Martinov
... Sigurisht, do të ketë probleme, tundime dhe pasione – po ashtu. Por do të na jetë shumë më lehtë t’i përballojmë ato. Nuk po them të jesh gjithmonë në kishë dhe të lutesh. Po them të kesh komunikim me Zotin, të kesh kontakt me Të, të flasësh me Të. Lutja është komunikim me Zotin. Ashtu si po komunikojmë ne të dy tani, ashtu duhet të bëjmë edhe me Zotin. Nuk është e nevojshme të presim momentet e vështira dhe vetëm atëherë t’i drejtohemi Atij. Zoti, natyrisht, është dashuri. Ai do t’i hapë derën kujtdo, për sa kohë nuk është vonë. Kur bëhet vonë? Kur njeriu vdes. Nëse një person dëshiron të jetojë i lumtur, le të kthehet te Zoti. Përpiqu të bëhesh i pastër si dëbora, siç thuhet edhe në Bibël, Psalmin 50.”
Manastiri Kikos, Qipro
FOTO: Krasimir Martinov
Prisni vazhdimin e bisedës sonë me atin Maksim nga Manastiri i Kikosit. Në të zbulojmë fakte interesante nga historia dhe e tashmja e kësaj vatre të shenjtë, krijojmë edhe një lloj urë mes të krishterëve ortodoksë dhe hierarkëve të tyre nga Bullgaria dhe Qipro, si dhe flasim për mësimin fetar dhe rolin e kishës në zhvillimin e shoqërive bashkëkohore.
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova