Autor
Cvetana Tonçeva
Artikull
Premte 2 Janar 2026 09:05
Premte, 2 Janar 2026, 09:05
Atanas Bojaxhiev (1926–2017)
FOTO: Arkiv personal
Madhësia e shkronjave
I quajtur “një nga mbrojtësit e identitetit kombëtar të muzikës argëtuese bullgare”, kompozitori Atanas Bojaxhiev (1926–2017) ishte një muzikant karizmatik me një krijimtari mbresëlënëse. I diplomuar për drejtësi në Universitetin e Sofjes, ai zgjodhi si pedagog të kompozicionit intelektualin e rafinuar Dimitër Nenov .Partiturën e tij të parë autoriale Bojaxhiev e krijoi kur ishte vetëm 20 vjeç, për një shfaqje të Teatrit të Kukullave të Sofjes. Dy vite më vonë filloi të shkruajë edhe muzikë për kinematografinë. Që nga viti 1952, ai bashkëpunoi si kompozitor edhe me Radion Kombëtare Bullgare (atëherë Radio Sofja). Ai është autor i shumë këngëve të dashura edhe më sot, për shkak të elementeve të folklorit bullgar të përfshira në to. Ai krijoi muzikën për një numër të madh filmash shkencorë-popullorë, vizatimorë dhe artistikë. Në bashkëpunim me mikun e tij të ngushtë Petër Stupell, është autor i muzikës së disa prej serialeve televizive më të ndjekura në Bullgari gjatë viteve 70-të dhe 80-të të shekullit të XX-të, si: “Në çdo kilometër”, “Digju që të ndriçosh”, “Kapiten Petko Vojvoda”.
Petër Stupell (majtas) dhe Atanas Bojaxhiev
FOTO: Arkiv personal i Kristijan Bojaxhievit
Atanas Bojaxhiev është ndër kompozitorët e parë që, në fund të viteve 60-të, filluan të punojnë aktivisht me grupet e reja rock, të saposhfaqura në atë kohë në Bullgari. Bashkëpunimi i tij më i frytshëm ishte me kuartetin e famshëm “Shturcite” (Gjinkallat). Një pjesë e madhe e teksteve të këngëve të tij u krijuan nga poeti i talentuar Bogomill Gudev. Që nga themelimi i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës Pop “Orfeu i Artë”, Bojaxhiev ka qenë ndër laureatët e tij. Atij i përket edhe çmimi i parë i artë për krijimtari në historinë e këtij konkursi, e fituar për këngën “Pash një ëndërr”, me tekst nga Bogomill Gudev – një këngë që vazhdon të jetë e dashur edhe më sot, jo vetëm për dëgjuesit e saj të parë nga fundi i viteve 60-të të shekullit të XX-të, por edhe për fëmijët dhe nipërit e tyre.
Në një intervistë speciale për Radio Bullgarinë, djali i Atanas Bojaxhiev – Kristijan, gjithashtu kompozitor i suksesshëm, autor i aranzhimeve, producent dhe gazetar muzikor – kujton detaje interesante rreth krijimit të këngës “Pash një ëndërr”.
Kristijan Bojaxhiev
FOTO: Zdravko Petrov
“Çmimi i madh për muzikë – për këngë në të vërtetë – nuk ishte dhënë deri në vitin 1969. Në po atë vit, kur babai im e mori këtë çmim, edhe Bogdana Karadoçeva u bë interpretuesja e parë bullgare që fitoi çmim në këtë forum muzikor, ndoshta më prestigjiozin në Bullgari.Mbaj mend shumë mirë se vitin e mëparshëm – 1968 – kjo këngë tashmë ekzistonte, por jo me këtë tekst. Bogomill Gudev kishte shkruar një tekst nuk mund të them se nuk ishte i mirë, por ishte shumë i rëndë dhe jo fort i përshtatshëm për atmosferën e një ngjarjeje verore, bregdetare. Për më tepër, vetë kjo këngë në natyrën e saj sjell një lloj drite, ka diçka optimiste. Teksti i mëparshëm ishte i vështirë për t’u perceptuar, dhe vetë Bogomill tha: “le të provojmë në një mënyrë tjetër”. Kështu ai mbeti për vitin e ardhshëm…Ka shumë mundësi që babai im së pari të ketë krijuar refrenin. Kështu mendoj, duke pasur parasysh bashkëpunimin e jashtëzakonshëm dhe miqësinë e shkëlqyer midis të dyve – Bogomill Gudev dhe babai im – dhe më pas, nga atje, është e krijuar gjithë vepra. Por Bogomill shkroi një tekst krejt të ri. Ata ranë dakord që kënga të interpretohej nga një duet. Zgjodhën këngëtaren Margret Nikolova dhe Kirill Semov – një interpretues shumë i mirë bullgar, për të cilin mbaj mend se ishte i vetmi këngëtar me shije ndaj swing dhe që mund të këndonte në këtë stil muzikor.… dhe, për më tepër, ishte një njeri i këndshëm dhe këngëtar i shkëlqyer. Doli se zërat e tyre përshtateshin shumë mirë. Kam një kujtim shumë të këndshëm: isha në shtëpi, kur babai im përgatiti notat për njërin dhe për tjetrin – në fletë të bukura të bardha. Ai shkruante notat shumë bukur, të lexueshme dhe të qarta, shumë të përshtatshme për këndim dhe lojë. Dhe ai ngjiti me fletë-ngjitëse: tek notat e Margret, një margaritar, dhe tek ato të Kirill Semovit, një farë kungulli, pak për të thyer solemnitetin e momentit, kjo ishte edhe një lojë fjalësh me emrin e tij sepse në bullgarisht Semov vjen nga fjala semka, që në përkthim do të thotë farë. E veçanta është se babai im, në disa pjesë, bëri një ndërrim të zërave – domethënë sopranon (supozimisht Margret) e vendosi të këndojë zërin e dytë, ndërsa Kirill Semov këndonte zërin e lartë. Jo gjatë gjithë kohës, por kjo krijonte një atmosferë të këndshme, të larmishme dhe jashtë standardit. Aranzhimin e bëri Deço Taralezhkov. Deço ishte partneri muzikor i preferuar i regjisorit Haço Bojadzhiev pikërisht në ato pjesë ku baza ishte muzika tradicionale bullgare në shfaqjet televizive. Ndërkaq, babai im ftoi Boris Karadimçevin që të dirigjonte. Pikërisht ky ekip e regjistroi këngën me Orkestrën e Muzikës Zbavitëse dhe Simfonike të Radios në Studion e Parë. Pothuajse i njëjti grup muzikantësh ishte edhe Orkestra e Festivalit “Orfeu i Artë”, kështu që rezultoi, përgjithësisht, i njëjti interpretim që dëgjohej edhe në festivalin live.
Bogomill Gudev (1935 – 1993)
FOTO: BNR arkiv
Kam edhe një kujtim që në vitin 1968 nuk kishte si të përgatitej kjo këngë, edhe nëse Bogomill kishte bërë më parë tekstin. Sepse atëherë ishte Festivali i Rinisë dhe Studentëve këtu, në Sofje, dhe babai im duhej të shkruante pjesë të muzikës për sfondet, për koreografinë në Stadiumin “Vasill Levski”, përveç këngëve që ishin porosi për vetë festivalin. Dhe, jo më pak e rëndësishme, tashmë kishte nisur puna për filmin “Në çdo kilometër”, kështu që ai vlerësoi me mençuri se ishte më mirë që kënga të mbetej për vitin tjetër. Kur u bë regjistrimi – shumë më herët se qershori, sepse 3 qershori ishte gjithmonë data e fillimit të Festivalit “Orfeu i Artë” – nga Radioja vendosën të organizohet një konkurs midis 12 këngëve të përzgjedhura për finalen e festivalit. Kështu që ato të mos dëgjoheshin për herë të parë në skenën e këtij forumi, por në radio. Dhe doli se “Pash një ëndërr” fitoi çmimin e dëgjuesve të radios. Për më tepër, atëkohë babai im prapë me Bogomill Gudev bëri “I kemi dashur” – gjithashtu një këngë shumë e bukur dhe me elemente kombëtare. Ajo u bë Melodia e Vitit në televizion. Kështu që në një vit, doli që Atanas Bojaxhiev mori “Orfeun e Artë”, Melodinë e Vitit, plus çmimin e dëgjuesve të radios – që, pa u dukur si vetëlavdërim, është thjesht një fakt.
Margret Nikollova dhe Kirill Semov
FOTO: Facebook/RadioVidin
Festivali “Orfeu i Artë” në vitin 1969 ishte shumë i suksesshëm. Miku i parë i babait tim ndër kompozitorët – Petër Stupell – u paraqit me këngën “Takime të vonuara” – një këngë e mrekullueshme! Maria Nejkova dhe Mihaill Bellçev e kënduan atë në festival, ndërsa përndryshe u regjistrua për filmin “Burra me shërbim” me këngëtarin Georgi Minçev. Kënga mori çmimin e parë. Lili Ivanova mori pjesë me një këngë të Tonço Rusevit. Kështu që ishte një festival shumë, shumë i fortë!”
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova