Autor
Gergana Mançeva
Artikull
Mërkurë 31 Dhjetor 2025 14:00
Mërkurë, 31 Dhjetor 2025, 14:00
FOTO: Arkiv
Madhësia e shkronjave
Dita e parë e janarit është një moment kthesë në natyrë – ajo shënon fillimin e vitit të ri diellor. Kjo është një festë e madhe dimërore, e quajtur nga populli ynë Surva. Njihet edhe si Vasilica ose Vasillovden, pasi festohet në ditën e shenjtorit të krishterë Basili i Madh i Cezaresë – një nga teologët e mëdhenj dhe kundërshtar i herezisë ariane.
Sipas traditës, në mbrëmjen para festës, në një rreth të ngushtë familjar, përgatitet darka e dytë me temjan (pas Natës së Krishtlindjes). Tryeza e vetë ditës së Survës është shumë e pasur dhe mbi të renditen ushqime me yndyrë – zakonisht të përgatitura me mish nga derri i therur në prag të Krishtlindjes. Vendosen gjithashtu grurë i zier, arra, qepë, hudhra, oshav (komposto frutash të thata) dhe mjaltë. Një rol ritual të veçantë i jepet byrekut të Vasillovdenit, në të cilin vendosen “fatet” – sipas traditës këto janë shenja të ndryshme, degë dreni, e diku edhe monedhë. Fatet u kushtohen çdo anëtari të familjes, por edhe Zotit, bagëtive (kafshëve), vreshtit, arave. Tava me byrek rrotullohet tri herë dhe secili merr copën që i bie përpara. Lihen copa edhe për ata që nuk mund të jenë të pranishëm në tryezë. Sipas “shenjës” në copën e byrekut që i bie secilit, parashikohet se çfarë fati do të ketë gjatë vitit.
Dita e parë e vitit të ri kalon festueshëm. Në të kaluarën, në sheshin e fshatit hidhej një valle e përbashkët fshatare. Sipas traditës, të fejuarit dhe të sapomartuarit shkojnë për vizitë te kumbarët dhe u çojnë kulaç, pulë të zier dhe verë. Vasillovdeni festohet edhe nga festuesit e emrit – Vasil, Vasilka dhe emrat e tyre të prejardhur, të cilët presin me një tryezë të pasur mysafirët që vijnë t’i nderojnë.
FOTO: Arkiv
Më 1 janar është edhe një nga zakonet më të dashura për zemrën e popullit tonë – survakane për shëndet. Survaqarë bëhen zakonisht fëmijë dhe të rinj, të cilët shëtisin shtëpitë në qytet ose në fshat dhe trokasin lehtë shpinën e secilit prej zotërinjve të shtëpisë. Për ritualin ata përdorin një degë dreni, të zbukuruar posaçërisht me fije leshi, fruta të thata, kokoshka dhe gjithçka që mund të shërbejë për dekorim. Për secilin nga zotërinjtë e shtëpisë, survaqarët shqiptojnë urime të veçanta për shëndet, lumturi dhe begati gjatë vitit të ri.
Këto urime janë simbolike dhe transmetohen nga brezi në brez, duke e mbajtur gjallë traditën dhe lidhjen me të kaluarën – thotë krye-asistentja dr. Igllika Mishkova. Zëvendësdrejtoresha e Institutit të Etnologjisë dhe Folklorit me Muzeun Etnografik pranë Akademisë Bullgare të Shkencave thekson se tradita është ruajtur kudo në vendin tonë, megjithëse e bashkëkohësuar:
Dr. Igllika Mishkova
FOTO: IEFEM - BAN
“Do të kujtoj se populli ynë dikur e ka festuar fillimin e vitit të ri në data paksa të ndryshme, por në ditët e sotme, sigurisht, viti i ri fillon zakonisht më 1 janar dhe kjo përkon me ditën e Shën Vasilit të Madh. Gjëja më karakteristike për këtë ditë është survakimi. Në të kaluarën në të merrnin pjesë fëmijë nga 3–4 deri në 15–16 vjeç, ndërsa sot kufiri i moshës është zhvendosur drejt fëmijëve më të vegjël. Natyrisht, atributi kryesor i survaqarëve janë degët e freskëta të drerit, të cilat janë të zbukuruara me bollëk dhe me to fëmijët duhet t’i survakojnë të afërmit e tyre. Dreri nuk është zgjedhur rastësisht – ai ka një forcë shumë të madhe, është jashtëzakonisht i fortë, dhe për më tepër dreri lulëzon më herët dhe lidh frytet më vonë.
FOTO: BGNES
Kujdesi për dekorimin e survaçkave dikur ishte në dorë të nënave, gjysheve, motrave, të cilat bënin vargjet me kokoshka, monedha, kulaçë, të përgatitur posaçërisht për survaçkat. Por sot një pjesë e madhe e familjeve i sigurojnë survaçkat për fëmijët e tyre nga tregu, nëse nuk i përgatisin vetë – rrëfen studiuesja e traditave bullgare dhe kujton: – Gjëja më thelbësore e survakimit është bekimi. Ai transmetohet nga brezi në brez dhe përdorimi i tij është vërtet i gjallë, megjithëse një pjesë e madhe e gjërave për të cilat flitet në të, sot nuk janë përcaktuese për lumturinë dhe prosperitetin e njerëzve. Ai fillon kështu: ‘Surva-surva vit, kallinj plot në arë, rrush i kuq në hardhi, dardhë e verdhë në kopsht, qese plot me para, surva-surva vit, deri vitin tjetër me shëndet’. Sigurisht, shëndeti është urimi më i rëndësishëm në këtë bekim, ai lidhet edhe me drerin, por urimi i parë – kalliri i plotë në arë – lidhet me praninë e bukës. E dimë se buka është një nga elementët më të rëndësishëm të tryezës ndër vite, veçanërisht të shoqërisë tradicionale, dhe deri në ditët e sotme. Veçanërisht interesantë janë survaqarët e Rodopëve, sepse ata mbajnë me vete edhe një gur të rëndë, të cilin e lënë në çdo shtëpi – që në këtë mënyrë të mbetet e rëndë e mira në atë shtëpi. Kjo është diçka kurioze që e dallon traditën në Rodope.”
FOTO: duhovno.bg
Kuptimi i festave, si 1 janari, është se ato mbledhin familjen, të afërmit, të cilët kanë mundësi të kalojnë pak kohë së bashku. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse të zhytur në përditshmëri dhe në këtë cikël të pafund pune, shumë shpesh harrojmë t’u kushtojmë vëmendje më të afërmve tanë – thotë dr. Igllika Mishkova:
“Fëmijët në një familje i japin kuptimin e vërtetë kësaj feste – ndryshe nga e kaluara, kur fëmijët shkonin në çdo shtëpi pa përjashtim, sot survaqarët i bekojnë kryesisht të afërmit e tyre. Sigurisht, në varësi të asaj se sa të afërt janë survaqarët që vijnë në shtëpinë tonë, ata mund të urojnë edhe diçka nga vetja, e cila lidhet me dëshirën e dikujt në familje. Survakimi gjithmonë do të ekzistojë, sepse secili do të dëshironte nga fëmija i tij më i afërt të dëgjojë këto fjalë sakrale, t’i troket pak shpina me urime për shëndet. Sepse besohet se për secilin që është vizituar nga survaqarët dhe ka dëgjuar thirrjet e tyre sakrale, viti do të jetë i mbushur me shëndet dhe sukses.”
Ndërsa si shenjë falënderimi, survaqarët e vegjël marrin dhurata të vogla ose monedha, të cilat me gëzim i mbledhin në kutitë e tyre të kursimit – sqaron më tej krye-asistentja dr. Igllika Mishkova dhe dërgon një urim për shëndet në vitin 2026: “Vështirë se mund ta hamendësojmë se si do të jetë viti, edhe duke ndjekur ritualet e festës – e rëndësishme është që të gjithë të jemi të shëndetshëm, të bashkuar dhe të kemi mundësi të kalojmë pak më shumë kohë me të afërmit tanë, sepse ndoshta kjo është më e rëndësishmja!”
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski