EKONOMI

Artikull

Monedhë e re, probleme të vjetra – nis një vit pasigurie dhe pikëpyetjesh

Shtunë, 3 Janar 2026, 06:55

Monedhë e re, probleme të vjetra – nis një vit pasigurie dhe pikëpyetjesh

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Më 1 janar 2026, Bullgaria u zgjua me një monedhë të re, por me të njëjtën paqëndrueshmëri politike të vjetër dhe tashmë të njohur mirë. Pas përgatitjeve shumëvjeçare, tashmë jemi pjesë e eurozonës dhe leva i lë vendin euros – tema më e diskutuar dhe më e kontestuar gjatë gjithë vitit 2025 që sapo përfundoi. Por ky ngjarje historike financiare ndodh pa u miratuar një buxhet i rregullt shtetëror. Arsyeja – dorëheqja e qeverisë si rezultat i disa prej protestave më masive që nga fillimi i tranzicionit. Ndërsa nga buxheti, siç e dimë të gjithë, varen të ardhurat, taksat, pagesat sociale dhe në përgjithësi ndjenja e parashikueshmërisë.

Për bullgarët, euroja nënkupton kartëmonedha dhe monedha të reja, por edhe një tjetër dozë shqetësimesh – se çmimet do të vazhdojnë të rriten ngadalë, se rrumbullakimi i çmimeve do të jetë në dëm të konsumatorëve dhe se njerëzit do të varfërohen. Ekonomistët pohojnë se inflacioni nuk mund të shpjegohet vetëm me miratimin e monedhës së re, por ndjenja mbizotëruese te popullsia është tjetër dhe pikërisht ajo do të dominojë të paktën në muajt e parë të vitit.

FOTO: BTA

Kështu, që nga fillimi i vitit 2026, të gjitha të ardhurat – paga, pensione, ndihma sociale – tashmë do të paguhen në euro, duke u rillogaritur automatikisht sipas kursit fiks. Llogaritë bankare u konvertuan pa tarifa shtesë. Dhe jo, leva nuk do të zhduket menjëherë brenda një nate. Në muajt e parë, çmimet në dyqane dhe shërbimet do të shënohen dyfish – në leva dhe në euro, ndërsa vetëm deri në fund të janarit do të mund të paguajmë paralelisht me të dyja monedhat. Ndërkohë, këmbimi i levave në Bankën Kombëtare të Bullgarisë mbetet falas dhe pa afat përfundimtar.

FOTO: BTA

Në këtë kontekst, nuk ka lajme të mira për të ardhurat – të paktën në fillim të vitit 2026. Pensionet nuk do të rriten nga 1 janari – ligji parashikon që përditësimi i tyre të bëhet më vonë, vetëm në mesin e vitit. E njëjta gjë vlen edhe për shumicën e pagesave sociale. Por ka një përjashtim – nga 1 janari, me vendim të Këshillit të Ministrave, paga minimale rritet me 12.63% dhe arrin në 1213 leva, ose rreth 620 euro. Ndërkohë, për punonjësit e sektorit buxhetor parashikohet një indeksim i njëhershëm i pagave, i llogaritur sipas inflacionit vjetor të akumuluar deri më 31 dhjetor 2025.

FOTO: Pixabay

Dhe arsyeja për gjendjen aktuale është e qartë – Bullgaria hyri në vitin 2026 pa një buxhet të ri shtetëror. Në vend të tij do të zbatohet buxheti i vjetër ose i ashtuquajturi ligj “zgjatës” i buxhetit i shpërndarë muaj pas muaji – aq sa shteti të funksionojë, por pa politika të reja, pa shpenzime shtesë dhe pa rritje të të ardhurave. Për këtë arsye, shumë nga ndryshimet e diskutuara, si rritja e përhershme e pagave në sektorin buxhetor apo ndihmat më bujare për fëmijët dhe prindërit, për momentin mbeten vetëm në letër.

Kjo pauzë financiare përkon me turbullira politike të pritshme. Bullgaria po shkon edhe një herë drejt zgjedhjeve të reja të parakohshme parlamentare – me shumë gjasë në muajin mars. Ndërkohë, qeverisja do të jetë në duart e një kabineti teknik. Parlamenti do të ketë një rol të kufizuar ose, më saktë, do të jetë në një regjim pritjeje. Kjo nënkupton shtyrje të vendimeve, të ardhura të ngrira, tension shoqëror, mungesë parashikueshmërie dhe mungesë besimi.

 

FOTO: mrrb.bg

Dhe ndërsa shteti ngec në vend, në plan ndërkombëtar po shfaqet një hap serioz pas anëtarësimit në eurozonë. Pa shumë zhurmë, Bullgaria po negocion në mënyrë aktive për anëtarësim të plotë në Organizatën për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), e njohur si “klubi i vendeve të pasura”. Pas vitesh negociatash dhe pune të përkushtuar në sektorë kyç si bujqësia dhe peshkimi, vendi ka përfunduar procesin e vlerësimit në 14 nga 25 komitetet e OECD-së, ndërsa të tjerat janë në një fazë të avancuar. Ka shumë gjasa që të pranohemi që në muajt e parë të vitit 2026. Dhe kjo nuk është thjesht një prani prestigjioze, por një angazhim serioz ndaj standardeve më të larta në qeverisje, arsim, politikë tatimore dhe mjedis investimesh. Nuk do të ndihet menjëherë në xhepat tanë, por është një dritëz e vogël në fund të tunelit, një sinjal për një drejtim afatgjatë në politikën bullgare – diçka që ndodh rrallë dhe që shumica e njerëzve te ne nuk e kuptojnë ende në këtë moment.

FOTO: Arkiv

Kështu e nisim vitin 2026 me një monedhë të re, me tension politik dhe shoqëror, por edhe me shpresa. Për ne, bullgarët, ky do të jetë një vit adaptimi – jo vetëm ekonomik, por edhe psikologjik. Do të na duhet të mësohemi me numrat e rinj, çmimet e reja dhe me një tjetër fushatë zgjedhore të ashpër, ndërsa vendi heziton, duke kërkuar zgjidhjet e veta dhe vendin që i takon në një botë të shënuar nga konflikte, paparashikueshmëri dhe kriza globale.


Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova

Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova