HISTORI

Artikull

Festa e Pagëzimit të Zotit Jezu Krisht nderohet edhe nga bullgarët në Hungari

Martë, 6 Janar 2026, 16:06

Festa e Pagëzimit të Zotit Jezu Krisht nderohet edhe nga bullgarët në Hungari

FOTO: Facebook/bolgarsuli

Madhësia e shkronjave

Pagëzimi i Zotit Jezu Krisht është një festë ortodokse që gjithmonë ka pasur vend në sistemin ritual të bullgarëve në Hungari. Këtë e shkruan Gabriella Haxhikostova në një publikim në Facebook, të shpërndarë nga Shkolla dhe Kopshti Bullgar në Budapest.

“Në vitet 30-të të shekullit të XX-të, pas ndërtimit të kishës ortodokse bullgare “Shenjtor Kirill dhe Metodij”, kronika kinematografike hungareze tri herë – në vitet 1931, 1932 dhe 1937 – pasqyron procesionin e bullgarëve në Budapest nga kisha deri te Danubi, ku sipas traditës festive kryqi hidhet në lumë dhe më pas nxirret nga besimtarët si pjesë e ritit fetar. Një turmë njerëzish plot ngjyra tërhiqte vëmendjen e banorëve të Budapestit”, rrëfen Gabriella Haxhikostova, e cila ndan edhe një fotografi e realizuar në vitin 1931, që ruhet në arkivin e Shoqatës 112-vjeçare të Bullgarëve në Hungari.

Komuniteti lokal bullgar edhe sot e kësaj dite e ruan dhe e mban gjallë këtë traditë. Dita festive edhe këtë vit nisi në Kishën Ortodokse Bullgare “Shenjtor Kirill dhe Metodij”,  me Liturgjinë e Shenjtë, ndërsa pas saj u mbajt Bekimi i Madh i Ujit dhe të gjithë të pranishmit në kishë u spërkatën për shëndet dhe mirëqenie.

“Pas përfundimit të shërbesës fetare, marrjes së bekimit dhe shpërndarjes së ujit të bekuar, të gjithë ne që ishim të pranishëm në kishë u nisëm së bashku me autobus drejt lumit Danub, ku u krye edhe zakoni i hedhjes së Kryqit të Shenjtë në ujë. Kryqi u zhyt tri herë në ujërat e Danubit, ashtu si Krishti u zhyt tri herë në ujërat e lumit Jordan dhe doli prej tyre. Kjo simbolizon misterin e vdekjes dhe të ringjalljes: vdes njeriu tokësor, vdes mëkati i tij dhe lind, ringjallet njeriu i shpirtëzuar”, shkruan gjithashtu Gabriella Haxhikostova.

Redaktoi: Miglena Ivanova

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova