SHOQËRI

Artikull

Pensionet e para në euro – të moshuarit në Bullgari përshtaten me monedhën e re

Premte, 9 Janar 2026, 07:00

Pensionet e para në euro – të moshuarit në Bullgari përshtaten me monedhën e re

FOTO: BGNES

Madhësia e shkronjave

Pensionistët në Bullgari po marrin pensionet e tyre të para në euro, pasi vendi ynë u bë anëtari i 21-të i eurozonës në vitin 2026. Pagimi i tyre filloi më 7 janar, kur fondet u transferuan në llogaritë e njerëzve që marrin pensionet e tyre me transfer bankar, dhe para zyrave postare u formuan radha të gjata. Kështu, u mbyll një kapitull në historinë e Institutit Kombëtar të Sigurimeve Shoqërore, në të cilin levat ishin pjesë e jetës së punës të disa brezave të bullgarëve për më shumë se një shekull. Si e pranojnë njerëzit ndryshimin?

FOTO: Nezabravka Kirova

Që në orën gjashtë të mëngjesit më 7 janar, pensionistët e parë qëndruan para Postës Qendrore në Silistra – thotë gazetarja e BNR në qytetin e Danubit, Nezabravka Kirova. – Edhe pse afati i fundit për marrjen e tyre është 20 janari, shumë ishin me nxitim jo vetëm për shkak të nevojës për të marrë mjetet e tyre të jetesës, por edhe për shkak të ndryshimit të monedhës. Qëndrimet janë të ndryshme – nga optimizmi i moderuar deri te pajtimi. Në euro apo në leva, paratë gjithmonë nuk janë të mjaftueshme - komentojnë njerëzit. Çmimet po rriten dhe nuk ka rëndësi se për çfarë lloj parash bëhet fjalë.

"Tani do të blejmë me euro, le të shpresojmë që jeta jonë do të përmirësohet. Jam optimiste, sepse kur shkova në dyqan fatura ime ishte 16 euro, dhe përndryshe më duhej të paguaja mbi 30 leva dhe i them vetes: "më parë me 20 leva nuk mund ta mbushja çantën time, por tani me 20 euro mund të bëj më shumë gjëra" - kështu një grua nga Silistra kërkon një lexim pozitiv të situatës dhe, në sfondin e vështirësive, gjen forcën për të qenë mirënjohëse: - Mund të mos kemi mjaftueshëm, por prapë i kemi - mund të jetë pak, por nuk është pa asgjë. Ka njerëz që nuk kanë aq shumë."

FOTO: BGNES

Nga fillimi i vitit 2026, pensionistët që marrin një pension minimal për gjatësinë e shërbimit dhe moshën do të marrin 322.37 euro, dhe pensioni maksimal është 1,738.40 euro.

"Kjo është hera e parë që shoh euro, nuk kam qenë kurrë jashtë vendit - thotë një grua nga Silistra dhe shton: - Nuk do të paguaj tani, më parë do të shkoj në shtëpi, do t'i shoh. Përndryshe, janë llogaritur me saktësi, tani do të filloj të llogaris faturat. Njësoj ishte edhe me levat - marr pensionin tim dhe nga këtu shkoj të paguaj për energjinë elektrike, ujin, telefonin. Do të jetë e vështirë për ne, por do të mësohemi."

FOTO: Nezabravka Kirova

Postat Bullgare saktësojnë se në Postën Qendrore në Silistra funksionojnë dy sportele arke, siç kërkohet me ligj. Punonjësit janë trajnuar për të punuar me programin e ri. Mbi 70 zyra postare në rajon paguajnë pensione, por sipas një orari paraprak, tha Hysein Hamdi, drejtor i degës së Postës Bullgare në qytetin rajonal, duke shtuar se të gjitha kanë pajisjet e nevojshme teknike.

Hysein Hamdi

FOTO: Nezabravka Kirova

"Ne kemi një produkt softuerik që tashmë llogarit me kursin zyrtar, i cili sipas ligjit është për euron. Kemi makina numërimi të monedhave dhe kartëmonedhave, si dhe testues për të kontrolluar nëse kartëmonedhat janë të falsifikuara apo të vërteta. Ne e kemi këtë si një masë paraprake dhe në përputhje me rrethanat kolegët tanë, arkëtarët, janë trajnuar se si të njohin monedhat dhe kartëmonedhat nga kartëmonedhat e reja euro. Kjo është kryesisht ajo që kemi bërë për të qenë të përgatitur dhe për të punuar më qetësisht, më me durim, sepse në fund të fundit, këto janë kartëmonedha dhe monedha të reja, dhe për të shmangur gabimet gjatë konvertimit të monedhës që mund të dëmtojnë si klientët, ashtu edhe arkëtarët, sepse ata janë nën një presion më të madh", tha Hysein Hamdi dhe saktësoi se pensionistët mund të marrin fondet e tyre nga çdo zyrë postare, falë sistemit të informacionit me të cilin punohet.

FOTO: Nezabravka Kirova

Pensionet tani janë në euro, por shqetësimet dhe shpresat mbeten të njëjta. Për disa, ky është vetëm një ndërrim kartëmonedhash, për të tjerët - një tjetër e panjohur. Dhe për shumicën - një muaj tjetër në të cilin do të numërojnë me kujdes. Midis levave të djeshme dhe euros së sotme, njerëzit nuk po kërkojnë aq shumë një monedhë të re sesa sigurinë se do të kenë mjaftueshëm - të paktën deri në fund të muajit.

Lexoni më shumë në arkivin e Radio Bullgarisë:


Reportazh nga Silistra nga Nezabravka Kirova

Redaktoi: Elena Karkallanova

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva